Zlatan Ibrahimoviç është tërhequr nga futbolli në moshën 41-vjeçare. Sulmuesi suedez shënoi 511 gola në 866 ndeshje për klube dhe 62 gola në 122 ndeshje për kombëtaren e Suedisë.
Ibrahimoviç e filloi karrierën e tij profesionale në ekipin suedez Malmo FF në vitin 1999 e më pas u largua për në Amsterdam të gjigandët e Ajax në 2001. Karriera e Zlatan kapi majat me transferimin e tij në klubet më elitare të planetit, Barcelona, Manchester United, Inter, Milan dhe PSG.
Suedezi shënoi më shumë gola në karrierën e tij me bluzën e Paris-Seint Germain (PSG), plot 156 herë në 180 ndeshje. Zlatan gjithashtu shënoi 53 gola në 55 ndeshjet e tij për LA Galaxy në udhëtimin e tij “aventuresk” në SHBA.
41-vjeçari erdhi më pas sërish në Milano në fillim të vitit 2020, pasi kishte fituar kampionatin italian në vitin 2011.
Zlatan Ibrahimovic është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për Suedinë me 62 gola në 121 ndeshje. Ai dha dorëheqjen nga kombëtarja pas zhgënjimit në Euro 2016, për t’u rikthyer më pas në vitin 2021 për eliminatoret e Kupës së Botës në Katar.
Zlatan i dha lamtumirën futbollit mbrëmjen e djeshme, në ndeshjen e fituar nga Milani kundër Lecce-s me rezultatin 3-1, në stadiumin “San Siro”. “Kam kaq shumë kujtime dhe kam jetuar kaq shumë emocione këtu, herën e parë që erdha këtu më dhatë lumturi. Herën e dytë dashuri”, ka thënë ai.

“Dua të falënderoj familjen time, të gjithë pranë meje, për durimin e tyre. Dua të falënderoj familjen time të dytë, lojtarët. Dua të falënderoj (trajnerin e Milanit, Stefano) Pioli dhe stafin e tij për përgjegjësinë që më keni dhënë. Dua të falënderoj menaxherët për mundësinë.
Por më e rëndësishmja nga të gjitha: nga zemra dua t’ju falënderoj tifozët. Më keni pritur krahëhapur, më keni bërë të ndihem si në shtëpinë time. Unë do të jem tifoz i Milanit për gjithë jetën. Ka ardhur koha t’i them lamtumirë futbollit. por jo për ju.
Kam shumë emocione që më kalojnë. Shihemi përreth, nëse keni fat. Forza Milan dhe lamtumirë”, ishin fjalët e tij në mitikun “San Siro”, në përshëndetjen e fundit me fansat e tij.