Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, i Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike ka bërë sot një bilanc të procesit të zgjedhjeve për kryetarët e rinj të degëve të PD.
Kryetarja e këtij Komisioni, Albana Vokshi tha se procesi ka qenë shumë i mirë, si dhe ka patur një interes të lartë.
Ajo shtoi se për herë të parë nuk ka patur asnjë “imponim nga lart” për kryetarë.
“Kanë marrë pjesë 39 mijë anëtarë. Interesi ka qenë shumë i lartë në të gjitha degët. Qendrat e votimit, sikurse është informuar, ka nisur votimi që herët, në orët e para të mëngjesit, por në shumë raste është kërkuar edhe shtyrja për shkak të interesit të lartë.
Interesi i demokratëve ka qenë tejet i lartë. Menaxhimi ka qenë shumë i mirë. Konkurrueshmëria shumë e lartë ka qenë gjetja e dytë. Kanë qenë 192 kandidatë në total, nga këto 24 zonja, apo rreth 14%. Për herë të parë janë zgjedhur 8 zonja kryetare. Për herë të parë nuk ka pasur asnjë imponim të emrave nga lart”, tha ndër të tjera Vokshi.