
Kandidati për postin e Përfaqësuesit të Politikës së Jashtme të BE-së, pas ikjes së Federica Mogherinit, Josep Borell, ka deklaruar se vizitën e tij të parë zyrtare nëse zgjidhet në postin e kreut të diplomacisë europiane, do ta bëjë në Kosovë.
Këto komente Borell i bëri gjatë dëgjesës në Komisionin për Politikën e Jashtme në Parlamentin Evropian.
Borell theksoi se Bashkimi Evropian do e ketë në një konsideratë më të madhe dialogun Beograd-Prishtinë, pasi ‘status quo’-ja është e paqëndrueshme.
Kandidati për kreun e diplomacisë së BE, Borell, ka theksuar se Kosova duhet të heqë tarifat ndaj mallrave serbe, ndërsa Serbia duhet të përfshihet më sinqerisht në dialog.
‘Ne jemi të ndryshëm sa i përket njohjes së Kosovës, por të bashkuar për zgjerimin e BE-së’, ka thënë ndër të tjera Borell.
Emërimi i pritshëm i Josep Borrell në krye të diplomacisë së BE-së ka shkaktuar shqetësime në Prishtinën zyrtare pasi Spanja, shteti nga ai vjen, nuk e ka njohur ende Republikën e Kosovës për shkak edhe të problemeve të saj të brendshme me rajonin e katalunjës dhe me baskët.