
Në zgjedhjet që do të mbahen më 3 mars në Mal të Zi, si asnjëherë më parë partitë politike shqiptare kanë themeluar Forumin Shqiptar për Komunën e Tuzit.
Për herë të parë pas 62 vitesh, komuna e Tuzit do të ketë një udhëheqje komunale te pavarur nga kryeqyteti malazez, Podgorica. Kjo ka ngjallur shpresat e shqiptarëve që jetojnë në Malin e Zi.
E diela e 3 Marsit pritet të jetë një ditë historike për shqiptarët e Tuzit. Tri partitë politike kryesore që veprojnë në këtë zonë kanë formuar një koalicion parazgjedhor nën moton ‘Malësia na Bashkon’ duke kandiduar me një listë të vetme, e në këtë mënyrë duke rritur shanset që kjo komunë të udhëhiqet nga një shqiptar.
Drejtuesit e partive shqiptare i gjejmë bashkë teksa bisedojnë rreth detajeve të fundit të fushatës. Është e njëjta sallë ku firmosën marrëveshjen prej nga nisi ëndrra se Komuna e Plotë e Tuzit, mund të qeveriset prej tyre.
Ata besojnë se çelësi i bashkimit, do t’i nxjerrë fitimtarë në sfidën për të marrë 17 këshilltarë nga 32 të tillë.
‘Në Malësi janë gati 70% shqiptarë, ndërsa në administratën e kësaj komune me vështirësi mund të gjeni dikë që flet shqip. Jemi të bindur se në Malësi pranvera fillon me 3 Mars dhe se për Malësinë vijnë ditë më të mira’, është shprehur kreu i Lidhjes Demokratike Shqiptare, Nikollë Camaj.
Fadil Kajoshaj, kreu i Unionit Demokratik të Shqiptarëve thotë se ‘ka presione të ndryshme nga partitë qytetare që janë kryesore në Mal të Zi’.
‘Jemi të bindur që kemi njerëz, kapacitet, që ta zhvillojmë vendin tonë, ta zhvillojmë infrastrukturën, ta zhvillojmë ekonominë, të hapim vende të reja pune, t’i krijojmë kushtet që bizneset, jo vetëm nga Mali i Zi, por dhe nga shteti amë dhe besoj se do t’ia dalim’, shprehet Nik Gjeloshaj, kreu i ‘Alternatives Shqiptare’ në Mal të Zi.
Banorët e Tuzit, të ndodhur përballë mungesave të përditshme, shprehen shpresëplotë se do të jenë më mirë nëse do të udhëhiqen nga shqiptarët. Pasditja na gjen duke udhëtuar drejt fshatit Skorraq, atje ku banorë të zonës dhe një grup i ardhur nga diaspora do të zhvillojnë një takim.