Departamenti i Drejtësisë në SHBA ka ngritur akuza ndaj një anëtari të Gardës Revolucionare Iraniane i cili dyshohet se tentoi të organizojë një plan për të vrarë John Bolton, ish-zyrtari amerikan i cili ka mbajtur poste të larta të sigurisë kombëtare gjatë administratave Trump dhe Bush.
Komploti i dyshuar “ka gjasa të ishte hakmarrje” për sulmin ajror të SHBA-së në janar të 2020-ës që vrau Qasem Soleimanin, komandant i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, tha Departamenti i Drejtësisë.
Pas sulmit, liderët e organizatës terroriste u zotuan për “hakmarrje kundër amerikanëve” për vdekjen e Soleimanit.
Prokurorët thonë se Shahram Poursafi, një shtetas iranian 45-vjeçar dhe anëtar i IRGC-së, u përpoq t’i paguante 300,000 dollarë një individi në Shtetet e Bashkuara për të vrarë Boltonin.
Ai nuk është arrestuar dhe është në kërkim.
Sipas kallëzimit penal, Poursafi i kërkoi një banori amerikan të identifikuar vetëm si “Individi A” të bënte fotografi të zotit Bolton, me pretendimin se fotot i duheshin për një libër.
Banori i Shteteve të Bashkuara më pas e prezantoi Poursafin me një informator të fshehtë të qeverisë, i cili mund t’i bënte fotografitë për një çmim të caktuar.
Hetuesit thanë se një muaj më pas, Poursafi e kontaktoi informatorin në një aplikacion ku dërgohen mesazhe të koduara dhe i ofroi personit 250,000 dollarë për të angazhuar dikë për të “eliminuar” zotin Bolton. Kjo shumë më pas u rrit deri në 300,000 dollarë.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social, Tëitter të mërkurën, zoti Bolton e falënderoi Departamentin e Drejtësisë për masat e ndërmarra.
“Nuk mund të thuhet shumë publikisht tani, por një gjë është e padiskutueshme: Sundimtarët e Iranit janë gënjeshtarë, terroristë dhe armiq të Shteteve të Bashkuara”, tha ai.