Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian do të diskutojnë për situatën në Ballkanin Perëndimor në një takim, i cili do të mbahet më 10 maj.
Çështja e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë pritet të jetë një ndër pikat kryesore të bisedimeve.
Në takimin që do të kryesohet nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borell, do të marrë pjesë edhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, raporton REL.
Zyrtarë dhe burime të BE-së thanë se debati nuk do të përqendrohet në procesin e anëtarësimit të vendeve të rajonit.
“Edhe pa diskutim, është e qartë se Ballkani Perëndimor ka perspektivë evropiane. Ne do të merremi me politikën e jashtme në atë takim”, tha një zyrtar evropian.