Drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano, ka zhvilluar sot një takim me drejtuesit e Drejtorive në 12 qarqe të vendit dhe me shefat e rendit dhe ata të krimeve, për ngjarjet kriminale në vend dhe intensifikimin e punës për kapjen e autorëve të tyre.
Fokus i takimit, marrja e masave të menjëhershme për parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e personave në kërkim dhe të atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete. Referuar njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, kryepolici Nano u ka lënë disa porosi drejtuesve të lartë të organizatës që ai drejton, si:
– Thellimi i veprimeve hetimore, duke bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese, me qëllim zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
– Bashkëpunim dhe koordinim më të mirë mes strukturave policore që operojnë në pikat e kalimit kufitar, ato në terren e me shërbimet inteligjente, për marrjen në kohë të informacioneve për personat me precedent kriminal që kthehen nga jashtë shtetit dhe mbajtjen nën kontroll të tyre, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale.
– Intensifikimi i kontrolleve në territor, për parandalimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie, bllokimin e automjeteve të vjedhura, kontrolle në varreza makinash e servise makinash ku mbahen të fshehura apo çohen makinat e vejdhura, që më pas bëhen pjesë e ngjarjeve kriminale.
– Parandalimi i aksidenteve rrugore, duke intensifikuar kontrollet me makinën inteligjente, me radarët, mjete e paloguara, ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor, duke filluar menjëherë edhe me këmbësorët që nuk zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor.
Sot fillojnë në terren 443 kursanët e rinj, për të cilët Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit kërkoi nga drejtorët vendorë, që t’i përkrahin dhe t’i motivojnë për të kontribuuar sadopak në përmirësimin e mëtejshëm të performancës së Policisë së Shtetit.
Gjatë muajit janar, në të gjitha drejtoritë do të zhvillohen analizat vjetore dhe për këtë Drejtori ka kërkuar nga drejtuesit e DVP-ve, që të nxirren problematikat, me qëllim marrjen e masve për t’i zgjidhur ato.