Në 9-vjetorin e tragjedisë së Gërdecit, ministrja e mbrojtjes Mimi Kodheli dhe ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri, kanë kujtuar 26 viktimat. Por edhe ky përvjetor, familjarët e viktimave i ka gjetur njësoj, pa të dashurit e tyre dhe pa fajtorë të dënuar. E kontaktuar nga dritare.net, Zamira Durda, e cila humbi djalin 8-vjeçar nga shpërthimi, thotë se Erisoni ka lënë një dhimbje të pashoqe te ajo. Nëna e djalit të vogël, e cila ka ndjekur çdo seancë gjyqësore e është kthyer në portretin e njeriut që kërkon drejtësinë për Gërdecin. Ajo thotë se këtë përvjetor nuk i ka kontaktuar askush për t’i ngushëlluar. “Unë nuk e dija që Ministrja Kodheli ka reaguar sot për 9-vjetorin. Pasi, jo të gjitha familjet kanë Facebook që ta lexojnë. Dhe për ish-ministrin, nuk e di se kujt i ka kërkuar falje, pasi ne nuk na ka kontaktuar asnjë, e ne nuk dinim gjë.”- thote Zamira.