Pas përfundimit të mbledhjes së komisionit ka reaguar edhe përfaqësuesi i maxhorancës, Fatmir Xhafaj. Xhafaj tha se projekti për reformën në drejtësi duhet votuar në parim javën e ardhshme, për t’i kaluar më pas Kuvendit.
Xhafaj i është përgjigjur pretendimeve të Halimit se maxhoranca ka ndryshuar qëndrimet pas presionit të opozitës dhe rekomandimeve të Komisionit të Venecias.
“Ne zihemi për një nen dhe paragraf por fatkeqësisht kjo është politika shqiptare dhe s’kemi ç’ti bëjmë. Unë jam i lumtur që zoti Halimi të jetë i kënaqur sepse kanë kaq kohë që marrin raport për të mos bërë detyrat, por besoj se opozita nuk ka rrugë tjetër veçse të votojë projektin. Për fat të mirë, ekspertët i kanë bërë me ngjyrë të kuqe dhe ngjyrë blu dhe ju mund t’i shikoni cilat janë ndryshimet”, theksoi ai.
“Pati një propozim nga ana e kolegëve të maxhorancës për ta votuar sot në parim projektin kushtetues, por opozita kërkoi më shumë kohë dhe ramë dakord ta mirëkuptojmë.
Ditën e hënë do të mblidhet komisioni për të shqyrtuar projektin dhe për ta votuar në parim. Më duhet të them se tashmë është momenti për të bërë punë konkrete dhe java që vjen do të jetë decizive për ta shtyrë procesin përpara.
Javën që vjen unë do të mbledh çdo ditë Komisionin për ta votuar nen për nen projektin, për t’ja kaluar më pas Parlamentit. Janë disa ligje që do duhen të shqyrtohen në Komision. Kohë nuk ka. Dua të falenderoj edhe ekspertët amerikanë që na ndihmuan për t’i dhënë fund çdo interpretimi allashqiptar”, tha Xhafaj.