President serb Aleksandër Vuçiç i ka kërkuar ndihmë presidentit të porsazgjedhur turk, Rexhep Tayip Erdogan për situatën në veri të Kosovës.
Sipas shërbimit të shtypit të Vuçiç, ai ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Erdogan, ku e ka përgëzuar për fitoren e zgjedhjeve presidenciale.
Presidenti turk më pas u interesua për situatën aktuale në veri të Kosovës dhe Vuçiç e informoi për ngjarjet që kanë çuar në përshkallëzimin e dhunës në protesta.
Ai i ka kërkuar presidentit turk që të përdorë reputacionin dhe ndikimin Turqisë, për të vendosur paqe dhe stabilitet.
“Presidenti Erdogan u interesua për situatën aktuale në Kosovë dhe Metohi dhe Presidenti Vuçiç e informoi për kronologjinë e ngjarjeve që kishin çuar në përshkallëzimin e dhunës kundër komunitetit serb atje. Ai gjithashtu kërkoi nga kreu i shtetit turk që të përdorë reputacionin dhe ndikimin e vendit të tij për paqen”, shkruhej në njoftim.
Vuçiç tha se Turqia është një partner i rëndësishëm për Serbinë, në skemën e politikave ndërkombëtare.
“Shpresoj se, përveç projekteve ekzistuese, do të punojmë së bashku në sipërmarrje të reja, të cilat do të përshpejtojnë zhvillimin e fuqishëm të të gjithë rajonit, do të bashkojnë njerëzit dhe do të lidhin ekonomitë”, tha Vuçiç. Në fund të bisedës presidenti serb ka ftuar Rexhep Erdogan për të vizituar Serbinë.