Nikoll Sherniku është personi i cili ka ndihmuar autorët e atentatit me armë zjarri në drejtim të lokalit të Fatjon Muratit, në 12 mars në Don Bosko, ku mbeti e vrarë banakierja Mimoza Paja dhe u plagosën dy të tjerë.
Policia thotë se ka ekzekutuar ditën e sotme vendimin e Gjykatës së Tiranë, për caktimin e masës arrest me burg për Shernikun, i cili aktualisht ndodhet pas hekurave pasi është i dyshuar për një sërë veprash penale.
Sipas policisë, Nikoll Sherniku është personi i cili ka ndihmuar autorët e atentatit, duke sjellë nga gjermania targa gjermane të makinës që u përdor atë mbrëmje.
28-vjeçari Nikoll Sherniku, nga Fushë Kuqe e Laçit, është i dyshuar për vrasjen e efektivit të FNSH-së Xhulio Prela, ndërsa rreth një vit më parë ai ka tentuar të kryejë një atentat me armë zjarri në Shëngjin, së bashku me shtetasen Flutura Berisha.
Dyshohet se atentati në lokalin e Fatjon Muratit është bërë si hakmarrje nga njerëzit e të shumëkërkuarit të drejtësisë Ervis Martinaj, pasi më herët është përfolur se Murati ka qenë pjesë e atentatit ku u vra kushëriri i Ervis Martinajt, Brilanti, dhe dy miqtë e tij.
Njoftimi i Policisë:
Vijojnë veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes së ndodhur me datë 12.03.2023, ku mbeti e vrarë një shtetase.
Në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes së ndodhur me datë 12.03.2023, në rrugën”Anastas Shundi”, e cila bën fjalë për vrasjen e shtetases Mimoza Paja dhe dëmtimin/plagosjen e disa shtetasve të tjerë në ambientet e një lokali në pronësi të vëllezërve MURATI, ju informojmë si më poshtë:
Sot më datë 07.06.2023 u bë ekzekutimi i vendimit Nr. 1220 datë 07.06.2023 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë e cila ka vendosur caktimin e masës të sigurimit personal atë të “Arrest në burg“ ndaj personit nën hetim N. Sh., 28 vjeç, lindur dhe banues në Fushë – Kuqe, Laç, (aktualisht nën hetim me masën e sigurisë “Arrest në burg” edhe për vepra të tjera penale) si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera në funksion të procedimit penal nr. 1700 të vitit 2023 ka rezultuar se personi nën hetim, shtetasi N. Sh., me veprime aktive ka siguruar kushtet dhe mjetet materiale që kanë shërbyer për kryerjen e veprës penale. Këto veprime konsistojnë në marrjen e targave të huaja ne shtetin gjerman, sjelljen e tyre në Shqipëri, dhe vënien në dispozinon të këtyre targave personave të tretë (autorëve), të cilët më pas i kanë ruajtur dhe përdorur këto targa në një automjet tip “BMW” seria 5, ditën e ngjarjes.
Automjeti tip “BMW”, sëbashku me targat gjermane, është gjetur i djegur në fshatin Likmetaj, Manëz, Durrës.
Në funksion të këtij procedimi janë kryer veprime të shumta hetimore dhe ekzekutuar letër-porositë në Gjermani dhe në Kosovë.
Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për dokumentimin e plotë ligjor, me prova të autorëve të kësaj ngjarje kriminale.