UEFA ka zgjedhur golin e Jasir Asanit përballë Polonisë të dielen e shkuar, si goli më i bukur i raundit të gjashtë, për kualifikueset e Kampionatit Evropian “EURO 2024”.
“Predha” e Asanit është votuar në faqen zyrtare të UEFA nga tifozët shqiptarë dhe jo vetëm, anë e mbanë botës. Padyshim, një nga golat më të bukur të historisë së Kombëtares Shqiptare si dhe një nga më të bukurit të shënuar këto kualifikuese.
© credits facebook.com/EURO2024
Kombëtarja Shqiptare zhvilloi të dielen e kaluar një ndeshje historike përballë Polonisë, në kuadër të eliminatoreve të kampionatit evropian “Euro 2024”. Kuqezinjtë arritën të mposhtin polakët me një performancë të jashtëzakonshme dhe me gola që do të mbahen mend gjatë.
Ishte fantazisti Jasir Asani ai që “çoi peshë” zemrat e shqiptarëve në stadium dhe kudo që po shijonin këtë ndeshje, me një super gol nga distanca në minutën e 37 që bëri jehonë ndërkombëtare. Në pjesën e dytë, Shqipëria e nisi me eufori ndeshjen me raste të krijuara, të cilat u shpërblyen në minutën e 62 me insistimin dhe fuqinë e Mirlind Dakut, i cili tundi rrjetën e portjerit polak vetëm disa sekonda pasi hyri në fushë.
Shqipëria vazhdon tani me kokën lart rrugën për në Berlin, e para në grupin E në kuotën e dhjetë pikëve, me tre finale që na presin ku më e rëndësishmja do të jetë ajo e 12 tetorit në “Air Albania” përballë Republikës Çeke.