Lindi, jetoi dhe dha jetën për lirinë e Kosovës. Polici i rënë në krye të detyrës, Afrim Bunjaku do të përcillet nesër për në banesën e fundit. Në veri të Kosovës, ai u vra nga një grup terrorist serb. Në një njoftim të bërë në rrjetet sociale, bëhet e ditur se Bunjaku do të prehet i qetë në fshatin Samadrexhë, në zonën e Suharekës.
“Nesër nga ora 16:00 bëhet varrimi i policit të rënë në detyrë, Heroit, Afrim Bunjaku I njoftojmë të gjithë bashkëvendasit dhe të gjithë popullin e Kosovës se nesër, ditë e hënë, nga ora, 16:00, në varrezat e fshatit Samadrexhë, me nderime shtetërore, do të bëhet varrimi i policit të rënë në detyrë, bashkëvendasi ynë, Heroi, Afrim Bunjaku”, thuhet në njoftim.
Afrim Bunjaku luftoi deri në fund për Kosovën duke qenë një nga rreshterët më profesionistë të vendit. Për vrasjen e tij ka pasur reagim nga ndërkombëtarët, ndërsa pritet të shihet se çdo të ndodhë në orët në vazhdim.