Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar gjetjen e trupit të pajetë të pjesëtarit të tretë terrorist që mori pjesë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës.
Me anë të një njoftimi zyrtar, konfirmon se nga momenti kur ka ndodhur ngjarja e deri në këto momente, Prokurori Naim Abazi, ndodhet i pranishëm në Banjskë të Zveçanit për të siguruar provat e nevojshme për zbardhjen e ngjarjes.
“Faktikisht, PSRK-ja, konfirmon se, sot, në vendngjarje është gjetur një trup i pajetë, i personit të tretë të vrarë, që kishte vepruar si pjesë e grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës dhe, gjithashtu, po sot, është sekuestruar edhe një sasi e konsiderueshme e armatimit që është përdorur dhe pritej të përdorej në vijimësi nga pjesëtarët e kësaj bande kriminale”, thuhet në njoftim.