
Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Haki Morina ka mallkuar të gjithë ata që nuk e votuan për të zënë një vend në Kuvend.
“Ata që (pa ua kërkuar) ma kanë premtu votën, e s’ma kanë dhënë, ju raftë Covid-19”,- ka thënë ai.
Ai e fshiu statusin menjëherë pasi pati reagime të shumta negative. Pastaj përmes një postimi tjetër në rrjetet sociale ai ka sqaruar deklaratën e tij.
Ai ka shkruar se këtë mallkim e ka pasur për “ata që vullnetarisht janë lajmëruar për të më votuar, por edhe lobuar, dhe në fund se kanë dhënë as votën e tyre”.
Në një intervistë për Klan Kosova, Morina tha se këtë koment e ka bërë në formë shakaje për miqtë e tij të rrjetit social dhe jo për opinionin e gjerë.
“Unë shpesh bëj statuse me doza të larta të sarkazmi për të goditur një fenomen dhe t’i bëjë shokët e mi të qeshin sepse ata e dinë që nuk është forma ime e komunikimit. Ata e dinë që unë nuk jam njeri që ja dëshiroj dikujt COVID-19 apo kancerin”. Unë nuk e kam bërë atë status për publikun e gjerë, por vetëm për miqtë e mi. Nuk më ka shkuar mendja që do të ekzagjerohet në këtë mënyrë kaq mizore.
Ju kam drejtuar mashtruesve, por jo votuesve siç është keqinterpretuar kinse unë i kam mallkuar ata. Në këtë rast ju kam drejtuar vetëm disa individëve që pa ua kërkuar, kanë premtuar përkrahje. E para është që një individ që më njoftoi se se do votonte për mua, por kur është parë vendvotimi i tij nuk kishte asnjë votë”,- tha ai.