Mjeku i Urgjencës Kombëtare pranë QSUT-së Ilir Allkja u shkarkua nga detyra e tij për shkak të shkeljes së etikës në punë.
Në reagimin e tij, Allkja ka akuzuar kolegët e tij se janë në skuadër partizanësh të përzgjedhur nga politika.
Në një intervistë për News 24, ai u shpreh se është pushuar nga puna për shkak se i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama siguri në punë dhe ka kritikuar propagandën e tij.
“Janë shfaqje turpi ata që janë rreshtuar krah politikanëve që kanë duartrokitur Kryeministrin. Në mbarë botën mjekët kanë kërkuar. Më tregojnë miqtë që në Itali, Kryeministri nuk guxon të shkojnë se do ta ‘kryqëzojnë’ me kërkesa. Mjekët në Belgjikë i kthyen shpinën.
Ka plot gjëra që mund të bëheshin më mirë, por jo me një skuadër partizanësh, por me profesionistë. Partizanë quaj mjekët të përzgjedhur nga politika.
Ne i shërbejmë jetës, pacientit, qytetarë dhe në daljet e mia në media pikërisht për këtë kam folur. Një kritikë nuk e dëmton sistemin shëndetësor aspak, përkundrazi, unë kërkova më shumë siguri në punë në muajin mars dhe qeveria duhej të përgjigjej pozitivisht jo që të më linçonte”- u shpreh mjeku.
Teksa foli për situatën e koronavirusit në vend, Allkja tha se ka besim se deri në pranverë rastet do të kenë rënë ndjeshëm. Sipas tij, vaksina do të vijë atëherë kur të mos na duhet më.
“Di ndonjë Kryeministër në botë që të ketë marrë dhe të ketë linçuar një mjek vetëm e vetëm se kërkoi siguri në punë.
Rastet po vijnë në rënie. Numri i infektimeve po vjen në rënie. Unë kam një besim të fortë që në pranverë do të jetë drejt finishit dhe nuk do të kemi nevojë për vaksinë. Vaksina nuk do të na duhet. Vaksina do të jetë atëherë kur nuk do të duhet.
Kryeministri jonë i mëshon më shumë propagandës dhe unë thjesht se kam qenë kritik i tyre jam sot i pushuar, jam i papunë. Nuk kam asgjë personale, i mëshiroj ata që kanë firmosur largimin tim. Iu uroj shqiptarëve një vit sa më të mbarë me shëndet”,- tha Allkja.