Vrasja e 20-vjeçarit në Velipojë, nga një konflikt me armë mes pronarëve të dy hoteleve për disa shezlongë plazhi ka shkaktuar revoltë dhe një trishtim mjaft të madh te të gjithë qytetarët.
Mes njerëzve që kanë reaguar për këtë ngjarje të dhimbshme, ka qenë edhe vajza e Niko Peleshit, Aleksia.
Përmes një postimi në InstaStory Aleksia shpreh ngushëllime teksa shkruan: U prehsh në paqe Musaen! E bashkë me ty, u prehshin në paqe edhe ëndrrat e tua që punojnnë me dinjitet e derdhin djersë të pastër aty ku pastërtia peshon aq sa gëzhojat e një plumbi… U prehshin në paqe edhe shpresat e asaj nëne që me krenari priste të birin t’i tregonte për ditën e tij të parë të punës, por mori vetëm rrobat e tij të përgjakura duke kuptuar se ajo ditë ishte në fakt dita e fundit e jetës së tij. E së fundmi, u prehtë në paqe civilizimi i një shoqërie ku jetës së njeriut i ka rënë vlera aq sa ajo e një shezlongu plazhi.
Kujtojmë se mbrëmjen e së shtunës 20 vjeçari humbi jetën nga përplasja me armë në Velipojë. I riu ishte në ditën e parë të punës, si kamarier në hotelin e familjes Gocaj, kur nga konflikti mes pronarëve të tij dhe atyre të hotel “Fantazia”, humbi tragjikisht jetën.
Në këtë ngjarje tragjike humbën jetën katër persona, ndërsa dy të tjerë mbetën të plagosur.
