Kompania “AL-MEXWOOD” e biznesmenit Eral Myftaraj është shpallur fituese e një tenderi të hapur nga Bashkia e Gramshit për blerjen e druve të zjarrit për shkollat e njësive administrative në këtë vit të ri shkollor.
Fondi limit ka qenë 201 milionë lekë të vjetra dhe kompania e drejtuar nga biznesmeni Myftaraj ka ofruar 196 milionë, duke u shpallur rrjedhimisht dhe fituese.
Por, duhet theksuar se në këtë procedurë prokurimi nuk ka pasur ofertues dhe konkurrentë të tjerë në garë, përveç fituesit. Nga verifikimi i databazës në OpenCorporates.al, del se “AL-MEXWOOD” ka përfituar edhe 4 tendera të ngjashëm për dru zjarri nga Bashkia e Gramshit.
Megjithatë, Erla Myftaraj del se është i preferuari i bashkive socialiste, por jo vetëm. Kompania e tij ka përfituar tendera në shëndetësi, në ndërmarrje publike dhe në ankande të ndryshme, shkruan newsbomb.al.
Kryetari i ri i Bashkisë së Gramshit, deputeti socialist Besion Ajazi duket se ka vendosur të ndjekë traditën e kryebashkiakut të mëparshëm, duke ia besuar tenderat kompanisë së Eral Myftaraj. Bëhet fjalë për katër tendera, përveç këtij aktual. për blerjen e druve të zjarrit për shkollat, kopshtet dhe konviktet, për vitin 2016, 2017, 2018 dhe 2019.
Siç shihet në këtë databazë të dedikuar të OpenProcurement.al, kompania “AL-MEXWOOD” është fituesja kryesore e tenderave në Bashkinë e Gramshit për drutë e zjarrit. Këtë traditë e ka ndjekur dhe në vitin 2023, me tenderin prej 200 milionë lekësh.

Vetë kompania “AL-MEXWOOD” rezulton se ka pronar në vlerën e 100% të aksioneve biznesmenin Eral Myftaraj, por ajo nuk është themeluar vetëm nga ky i fundit. Ortakët themelues të shoqërisë, sipas dokumenteve, janë: Etnik Sopoti (49%) Zamir Balliu (26%) dhe Eral Myftaraj (25%).
Mirëpo, më datë 07.12.2006, me anë të kontratës së shitjes së kuotave, Zamir Balliu shet 26% të kuotave të kapitalit me vlerë 26.000 lekë, 1% në favor të ortakut Etnik Sopoti dhe 25% në favor të ortakut Eral Myftaraj.
Kështu, ortakë të “AL-MEXWOOD” mbeten vetëm Sopoti dhe Myftaraj me nga 50% secili. Dhjetë vite pas kësaj lëvizje, më datë 28.09.2016, Etnik Sopoti i transferon 50% te kuotave te kapitalit në favor të Eral Myftaraj dhe ky i fundit bëhet zotërues i kompanisë me 100% të aksioneve. Në Qendrën Kombëtare të Biznesit as pas 7 vjetësh nuk ka asnjë dokument justifikues për këtë shitje të kapitalit.

Eral Myftaraj nuk është një emër i panjohur për median. Katër muaj më parë ai denoncoi në polici kërcënimin me jetë për të dhe familjen nga biznesmeni tjetër i druve Shaqir Alcani, djali i tij Algert Alcani dhe dy personazhe të botës së krimit.
Dy këta të fundit, ishin kontaktuar nga babë e bir Shaqir e Algert Alcani për të kërcënuar Eral Myftaraj që të tërhiqej nga një tender për dru zjarri në Tiranë, shkruan newsbomb.al.
Eral Myftari nuk ka pranuar të tërhiqet dhe këta shtetas e kanë kërcënuar se do të vrisnin atë dhe familjarët e tij. Babë e bir kanë kontraktuar shtetasit Edmir Boçi dhe Louis Konomi, për t’i bërë presion dhe kërcënuar biznesmenin nga Cërriku. Rasti ishte në ndjekje dhe sapo është mësuar për kërcënimin, ka ndërhyrë Forca Operacionale.