Prokurorët amerikanë thonë se një YouTuber, i cili me dashje rrëzoi një aeroplan për shikime, do të deklarohet fajtor për pengimin e një hetimi federal. Ai është i famshëm për videot e tij në rrjetin social të videove, Youtube, dhe menjëherë pas rrëzimit të avionit pastroi vendin.
Ky është konsideruar një pengim i hetimeve federale dhe Youtuberi Trevor Jacob mund të përballet me një akuzë për 20 vite burg.
29 vjeçari postoi videon e rrëzimit të avionit në YouTube në dhjetor 2021, duke lënë të kuptohet se ngjarja ishte një aksident. Në një marrëveshje për pranimin e fajësisë, ai tha se e filmoi videon si pjesë e një marrëveshjeje sponsorizimi produkti.
Piloti 29-vjeçar ka rënë dakord të deklarohet fajtor për një akuzë të shkatërrimit dhe fshehjes së krimit me qëllimin për të penguar një hetim federal, tha në një deklaratë të enjten departamenti i drejtësisë amerikane.

Në nëntor 2021, Jacob u largua nga një aeroport i Santa Barbara, Kaliforni me një fluturim të vetëm me kamera të montuara në aeroplanin e tij. Së bashku me kamerat, Jacob mori me vete një parashutë, si dhe një shkop selfie.
Ai “nuk kishte ndërmend të arrinte destinacionin e tij, por në vend të kësaj planifikoi të hidhej nga avioni i tij gjatë fluturimit dhe të filmonte veten duke u hedhur me parashutë në tokë, ndërsa aeroplani u rrëzua”, tha Zyra e Prokurorit të SHBA për Qarkun Qendror të Kalifornisë.