Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini ishte e ftuar sot në News24 ku dhe foli për situatën aktuale në vend, lidhur me Covid dhe pandeminë në përgjithësi.
Para pak ditësh kryeministri Rama njoftoi zgjatjen me 1 orë të orarit për lejimin e muzikës, dhe më pas doli Komiteti Teknik i Ekspertëve i cili zyrtarizoi njoftimin e Kreut të Qeverisë.
Pikërisht për këtë është pyetur Tomini, se pse Rama e dha lajmin përpara Komitetit. Lidhur me këtë, Tomini deklaroi se Komiteti Teknik kishte gjetur dakordësinë me kryeministrin Rama, më herët, për të arritur në këtë vlerësim.
“Komiteti i Ekspertëve kishte vlerësuar shpesh disa nga ankesat e bizneseve, protestat në Lungomare, dhe gjata asaj dite, në orët e para të mëngjesit, kur kryeministri ishte në rrugë e sipër për të prenoncuar lajmin, ne ishim në mbledhje dhe në drekë dhamë lajmin. Kishim gjetur dakordësinë e kryeministrit për të arritur në këtë vlerësim, sepse normalisht Komiteti i Ekspertëve rekomadon, Ministria e Shëndetësisë më pas merr urdhrin për të shtyrë orën policore, duke ia rekomanduar edhe Ministrisë së Brendshme, pasi muzikën në terren e monitoron policia”, tha Tomini.