Gjykata e Durrësit lë në burg dy administratorët e kompanisë “Masabi fruits”, Erjon Peti dhe Klajdi Xibraku, pasi në konteinerin me banane të porositur nga ata në Ekuador u zbuluan 143 kg kokainë.
Konteineri deri në momentin që ka mbërritur në Durrës ka ndërruar 4 anije. Ai ishte nisur nga porti i GUAYAQUIL në Ekuador dhe kishte kaluar tranzit në portin “GIOIA TAURO”, Itali, me destinacion Shqipërinë, për llogari të firmës që administrohej nga Peti e Xibraku.
Policia kishte marrë informacion rreth 2 javë më parë për nisjen e ngarkesës nga Guayaquil dhe kishte shtuar kontrollin në port për të gjitha ngarkesat nga Amerika Latine. Hetuesit dyshojnë se droga ka ardhur në Shqipëri për llogari të 3 grupeve të ndryshme kriminale.
Me të mbërritur në portin e Durrësit konteineri iu nënshtrua kontrollit me skaner ku u dha edhe sinjali.
Droga ishte e fshehur në një vend të përshtatur në kamionin e ngarkuar me banane. Të arrestuarit Erjon Peti dhe Klajdi Xibraku janë kushërinj me njeri-tjetrin. Ata refuzojnë të kenë lidhje me trafikimin e drogës.