Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe Kongresmeni, Eliot Engel, gjatë takimit në SHBA i bënë apel Francës për lirimin e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Thaçi dhe Engel bënë një deklaratë të përbashkët për lirimin e Haradinajt duke akuzuar Serbinë se po abuzon me Interpolin, si dhe kërkuan nga Franca që ta gjykojë shpejt rastin e Haradinajt, që lideri i AAK-së të kthehet sa më parë në shtëpi.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Thaçi boton deklaratën në të cilën thuhet “ne besojmë se abuzimi nga ana e Serbisë me sistemin e “Njoftimit të Kuq” të Interpolit që ka çuar në arrestimin e Ramush Haradinajt është skandaloz. Ne i bëjmë thirrje Francës që urgjentisht ta procesojë rastin dhe ta kthejë atë në vendin e tij në Kosovë sa më pare”.
Sipas tyre, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet të mbajnë Serbinë përgjegjëse për shpërdorim të Interpolit nga ana e saj.
“Procesi i anëtarësimit të Serbisë në BE duhet të ndalet deri në momentin kur Serbia vazhdon me detyrimin e saj për të normalizuar marrëdhëniet me Kosovën. Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara duhet t’i bëjnë të ditur Beogradit se marrëdhëniet dypalëshe do të dëmtohen nëse Serbia nuk i kthehet rrugës konstruktive”, përfundon deklarata .
Ramush Haradinaj është ndaluar më 4 janar në aeroportin e Baselit nga policia franceze, në bazë të një urdhër arresti të lëshuar në vitin 2004 nga Serbia. Për kryetarin e AAK-së, Haradinaj, për të cilin të enjten pritet vendimi i gjykatës, arrestimi në Francë është i dyti, pas të parit në Slloveni, brenda dy viteve me të njëjtën aktakuzë.