Integrimi evropian i të gjitha vendeve të regjionit është e rëndësishme ndërsa bashkëpunimi në mes tyre dhe promovimi i projekteve të përbashkëta është i rëndësishëm për përmbushjen e aspiratave për anëtarësim në BE. Këtë theksuan ministrat e punëve të jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Maqedonisë Nikolla Poposki në takimin e zhvilluar mes tyre në Shkup.
“Kosova dhe Maqedonia kanë raporte të mira bilaterale dhe dialog të hapur politik. Punojmë në projekte të përbashkëta infrastrukturore të cilët janë të rëndësishme për ambiciet tona të përbashkëta integruese. Shqyrtuam mundësinë për thellimin e mëtejshme të bashkëpunimit në sferën e drejtësisë, arsimit, komunikacionit”, tha Nikolla Poposki.
Ai tha se në Shkup do të nënshkruhen marrëveshje për mbrojtjen e dyanshme të investimeve dhe bashkëpunimin e akademive diplomatike.
“Qëllimi i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe BE dhe për këtë arsye japim përkrahje Maqedonisë në drejtimin e saj euro integrues. Për këtë arsye japim ndihmë në zgjidhjen e kontestit me emrin me Greqinë. Si model për arritjen e një zgjidhje mund të shërbejnë përpjekjet që bëjnë Beogradi dhe Prishtina për arritje e marrëveshjes”, tha Thaçi.