Qindra qytetarë kanë dalë këtë të mërkurë në rrugët e Prishtinës në shenjë proteste, kundër dhunës seksuale ndaj vajzave dhe grave.
Theksojmë se kjo protestë vjen dy ditë pas ngjarjes së rëndë që tronditi mbarë opinionin publik, ku një vajzë 11 vjeçare u abuzua seksualisht për disa orë rresht në Prishtinë nga pesë të rinj.
Ky tubim u iniciua fillimisht nga këngëtarët e njohur, si: Dafina Zeqiri, Fifi, etj, të cilëve më pas iu bashkuan edhe shumë qytetarë. Në marshimin e sotëm morën pjesë: Dafina Zeqiri, Dj Geek, Adriana Matoshi, Shyhrete Behluli me të bijën, Engjëllusha Salihu, Ron Zaiti, Ana Kabashi, Teuta Krasniqi, Lyrical Son dhe ish-presidentja e vendit, Atifete Jahjaga.
Kjo e fundit mbante një poster në të cilin shkruhej: “Dhuna nuk tolerohet dhe luftimi i saj është përgjegjësi e përbashkët shoqërore dhe institucionale. Këto raste duhet të na gjejnë më të bashkuar se kurrë! Të dashura vajza dhe gra, ne të gjithë jemi këtu për ju”.