Ministri i Jashtëm i Kosovës Behgjet Pacolli është shprehur pro taksës për kalimin në Rrugën e Kombit, e cila u vëndos disa kohë më parë nga Qeveria shqiptare.
I ftuar në studion e lajmeve në Ora News, Pacolli është shprehur se taksa nuk është shumë tragjike sepse rruga është shumë e shtrenjtë për tu mirëmbajtur, ndërsa ka thënë se dhe kosova do ta vendosë së shpejti nga ana e saj.
“Personalisht nuk e shikoj shumë tragjike vënien e taksës, për arsye se flitet për një objekt jashtëzakonisht të shtrenjtë dhe mirëmbajtja e asaj rruge kushton. Njerëzit që kalojnë njëherë dy, nuk mund ta kuptojnë se mirëmbajtja e një autostrade kushton shumë para. Nuk e di nga ana shqiptare në mund t’i mbulojë shpenzimet që do t’i këtë në mirëmbajtjen e kësaj autostrade me atë taksë. Edhe pse taksa në anën tjetër duket e lartë. Unë do të doja që të ketë sa më shumë frekuencë dhe sa më shumë të rritet frekuenca ulet taksa, nga 5 do të ulet në 3 euro. Ajo do të ishte mirë për secilin, por nuk ka të drejtë të hidhërohet që ka një taksë sot. Sot të ecësh në rrugët e Kosovës nuk kushton asgjë, por jam i bindur se edhe Kosova do të aplikojë një taksë. Taksat aplikohen në të gjithë botën”, ka thënë Ministri i Jashtëm.