Në vazhdën e replikave gjatë punimeve në senacë plenare, ka ndërhyrë në Kuvend edhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Ai mbrojti punën e bërë nga policia në luftën ndaj krimit dhe ftoi opozitën të mos luftojë forcat e rendit, por ta lërë të bëjë punën dhe të jetë në krah të qytetarëve.
“Droga ishte në Lazarat po nuk ishte policia, dhe pasi hyri u quajt bandë plackitësish. Sot ne shkëmbejmë informacione me partnerët dhe sot nuk shitet informacioni. Aksioni në Elbasan ishte më i madhi pas atij në Lazarat dhe në Dukagjin” tha Tahiri në lidhje me aksionet antidrogë.
“Kanë flutuar akuza ndaj meje dhe kryeministrit se qenkërkemi në lidhje me krimin. Por nuk kam kohë të merrem me këto përbaltje që janë turp për institucionet dhe vetë qytetarët.Është bërë e qartë nga qeveria që jemi të gatshëm të shkojmë në gjykatë nëse keni kurajon të përballeni me akuzat që lëshoni pa prova. Nuk kam minuta shtesë të humb kohën me akuza absurde. Me shumë gjasë hyni në modelin tuaj humbës. Nëse gjeni një fakt të vetëm për akuzat, përgjigjem në gjykatë dhe mbaj përgjegjësi ligjore, morale e institucionale. Vrasjet janë në numrin më të ulët në 8 vitet e fundit dhe ne nuk i japim imunitet askujt” tha ministri i Brendshëm.
“Paligjshmëria ishte e përhapur në shtet, dhe kriminelët bënin gosti me pushtetarët. Por ne jemi këtu për të luftuar botën e krimit dhe korrupsionin Brenda policisë. Po e rilindim policinë për ta vënë në shërbim të qytetarëve pasi nuk i shohim kriminelët në të ndarë, mes tanëve dhe tuajve. Nëse për interesa nuk bëheni dot bashkë me ne kundër krimit, atëherë lini policinë ta luftojë. Gjyqtarët me praktika korruptive nxjerrin kriminelët dhe rasti më i fundit ishte i bashkëshortes së vrarë nga burri që u lirua nga burgu” tha ministri Tahiri.