Edhe pse qeveria serbe insiston se nuk ka asnjë lidhje me aksionin e terroristëve ndaj policisë së Kosovës, një tjetër provë ka dalë në dritë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka ndarë në rrjetet e tij sociale disa foto ku dëshmohet lidhja zyrtare mes shtetit të Serbisë dhe grupit terrorist që vrau policin Afrim Bunjaku.
Xhelal Sveçla ka publikuar një dokument, që sipas tij vërteton faktin se ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit terrorist lëshesin e granatave, që më pas u zu nga Policia e Kosovës në aksionin e 24 shtatorit.
“Ky dokument është vërtetim që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit me rastin e dorëzimit të lansuesit të granatave, që më pas u zu nga Policia e Kosovës në aksionin e 24 shtatorit.
Atë që e kemi deklaruar në vazhdimësi tash po e mbështesim edhe me fakte e dokumente të pakontestueshme se shteti i Serbisë mbështet këto grupe terroriste politikisht, financiarisht, logjistikisht,” shkuan ministri Sveçla.
Ai ritheksoi se aksioni kundër rendit kushtetues kishte për qëllim destabilizimin e Republikës së Kosovës.
Kujtojmë se në sulmin terrorist në Banjskë të Kosovës, u vra nga serbët rreshteri patrullues Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy kolegë të tij.
Rreshterët kosovarë ishin ndeshur me serbët që po shkonin të armatosur drejt fshatit Banjskë dhe i kanë ndaluar. Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Bunjaku ra dëshmor si pasojë e plumbave të terroristëve serbë.
Menjëherë Policia e Kosovës u vu në lëvizje dhe në veri shkoi dhe Njësia Speciale. Nga kundërpërgjigja me armë zjarri, mbetën të vrarë katër pjesëtarë të grupit të sulmuesve. Besohet se ata ishin rreth 30 dhe fshiheshin në Manastirin e Banjskës, ku u gjet një sasi e madhe armatimi i kalibrave të ndryshëm, për qindra persona.