Policia ka dhënë informacion shtesë në lidhje me arrestimin e dy shtetasve rusë dhe një ukrainasi të cilët tentuan të futen me forcë në uzinën e armëve në Gramsh. Blutë e Elbasanit kanë zbardhur akuzat që rëndojnë ndaj tyre.
Burime zyrtare bëjnë me dije se ndaj Mikhail Zorin, 23-vjeç, me pasaportë ruse, bashkë me 33-vjeçaren Svetlana Timofeeva dhe 25-vjeçarin ukrainas Fiodor Mihailoviç rëndojnë akuzat për veprat penale: “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim.
Kujtojmë se dy shtetas rusë, 33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, 23-vjeçari Mikhail Zorin dhe ukrainasi Fiodor Mihailoviç , janë arrestuar mbrëmjen e së shtunës pas një incidenti në uzinën ushtarake në Gramsh. Ata sulmuan me spray neuro-paralizues dy ushtarët shqiptarë që ndodheshin në uzinë.
Ndërsa në Poliçan, 4 çekë u kapën sot nga policia. Dy prej tyre ishin futur brenda tuneleve të fabrikës së armëve.Në dëshminë e tyre, shtetasit e huaj kanë thënë se janë blogerë dhe fotografonin kryesisht territore ushtarake që janë të braktisura dhe nuk përdoreshin më nga shteti.
Njoftimi i Policisë:
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në afërsi të rrethimit të Uzinës Ushtarake Çekin në Gramsh, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ju bëjmë me dije se:
Nga Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me strukturat e DVP Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: M. Z., 24 vjeç, S. T., 33 vjeçe, të dy shtetas rus dhe F. A., 25 vjeç, shtetas ukrainas, për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim .
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar automjeti me të cilin lëviznin këta shtetas, pajisje kompjuterike laptop, dronë, aparate celulare dhe sende të tjera të cilat do të ekzaminohen, rezultatet e të cilave do të jenë pjesë e hetimit.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.