Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi ka paralajmëruar për sulme të tjera në Veri të Kosovës, pas vrasjes së efektivit Afrim Bunjaku dh plagosjes së dy policëve të tjerë.
I ftuar në “Open”, Shehi tha se kjo është ngjarja më e rëndë që nga koha e luftës, duke thënë se Kosova duhet të ishte e përgatitur për një sulm të tillë. Ai i bën thirrje Kosovës që të përgatitet, pasi sipas tij sulmi i së dieles mund të jetë vetëm fillimi.
“Kjo është ngjarja më e rëndë që nga koha e luftës. Jo thjesht policia, por Kosova duhet të ishin përgatitur. Duhet të përgatiten, pasi mund të jetë fillimi. Nuk besoj se serbët kanë vetëm 30 armë. Zona atje ka qenë e lirë për botën e krimit.
Në situatën e re që kemi luftën në Ukrainë dhe agravimet mes Kosovës dhe Serbisë… unë nuk them se ka organizuar Vuçiç, por mjafton që të mbyllësh sytë”, deklaroi kreu i LZK.