Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç e ka cilësuar tragjedi vrasjen e policit të Kosovës, Afrim Bunjaku, nga terroristët serbë dy ditë më parë në veri.
Ai u ka bërë thirrje të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë që të tentojnë “pajtimin”, në mënyrë për të ulur gjakrat dhe qetësuar situatën. Sipas tij situata e së dielës mund të kishte shkuar edhe më keq, nesë palët nuk do të vetëpërmbaheshin.
“Tragjedi dhe vazhdimi i një politike katastrofike ballkanike… Ne mendojmë se politika e viteve 1990 duhet të marrë fund. Pra, popujt në këto treva kanë provuar gjithçka përveç pajtimit, prandaj apeli im është edhe në raport me popullin serb edhe në raport me popullin shqiptar, më në fund provoni një herë pajtimin. Ju keni provuar gjithçka, përpiquni të pajtoheni, besoj se do t’ju pëlqejë të gjithëve”, ka thënë ai.
Kujtojmë se në sulmet e së dielës grupet terrortiste serbe hapën zjarr ndaj forcave të Policisë së Kosovës, ku mbeti i vrarë efektivi Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë. Nga shkëmbimi i zjarrit u vranë dhe tre agresorë serbë, si dhe u arrestuan pesë të tjerë. Për vrasjen e policit pati reagime të shumta nga politika shqiptare dhe ndërkombëtarët, të cilët dënuan aktin terrorist.