Studiuesi i historisë Erald Kapri, i ftuar emisionin e Denis Mingës në Report Tv për librin e tij të sapo publikuar “Sekretet e Luftës” që flet për Shqipërinë tjetër në dokumentet britanike, është pyetur edhe mbi shkakun e vdekjes së Ismail Qemalit.
Kapri tha se në dijeninë e tij, Ismail Qemali nuk është helmuar pasi askush nuk ishte i interesuar për vdekjen e tij.
“Nuk besoj se mund të jetë helmuar se nuk ishte kërcënim për ndokënd, Ismail Qemali nuk ishte faktor në Shqipëri dhe nuk i interesonte kujt vdekja e tij në vitin 1919-të”, tha Kapri ndërsa u ndal edhe te historia e çarmatosjes të Isa Boletinit në konferencën e Londrës.
“Është një legjendë”, tha Kapri referuar asaj që thuhet se Isa Boletini shkoi me dy pistoleta në brez në Konferencën e Londrës por ushtari anglez i kërkoi të lërë armët. Boletini i dorëzoi ato në tavolinë dhe në atë moment ushtari britanik tha: “Ia dolëm të çarmatosim shqiptarin”. Ndërkohë…Isa nxjerr një armë tjetër fshehur në kilota.
“Është një legjendë, e vërteta është që Isa Boletini mund ta ketë takuar ministrin e jashtëm të Londrës, por po t’ua tregosh britanikëve këtë, u duket qesharake. Historinë shpesh e konsiderojmë si folklor..”, u shpreh ndër të tjera studiuesi.