Sekretari i përgjithshëm i aleancës ushtarake, Jens Stoltenberg, njoftoi se gjatë ditës së dytë të samitit në Madrid, liderët vendosën që të ftojnë zyrtarisht Suedinë dhe Finlandën për anëtarësim në NATO.
Stoltenberg e përshkruan samitin si “transformues” dhe thotë se liderët ranë dakord për një ndryshim themelor në parandalimin dhe mbrojtjen tonë.
“Ne ramë dakord të ftojmë Finlandën dhe Suedinë për t’u bashkuar me aleancën tonë dhe ramë dakord për mbështetjen afatgjatë për Ukrainën.
Udhëheqësit e NATO-s trajtuan gjithashtu krizën globale të ushqimit e cila është rezultat i drejtpërdrejtë i pushtimit rus të Ukrainës”, shtoi ai.
Ai tha se ndikimi i krizës ushqimore është i rëndë, duke përfshirë disa nga njerëzit më të cenueshëm në botë.
Më pas Stoltenberg shtoi se aleatët e NATO-s diskutuan përpjekjet për të zbutur krizën dhe për të nxjerrë grurin nga Ukraina nga toka dhe deti.