Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka reaguar për plagosjen me armë zjarri të punonjësit të IMT-së gjatë shembjes së një banese ditën e sotme në Tiranë.
Veliaj i kërkon drejtësisë “rreptësi maksimale” për autorin, të cilin e quan “kriminel me precedent të mëparshëm penal”.
Kryebashkiaku i Tiranës lë të nënkuptohet se shembja e banesës u krye për t’i hapur rrugë një projekti publik, po pa bërë me dije se për çfarë konkretisht.
Reagimi i plotë i Veliajt:
Shërim të shpejtë Ilirianit tonë të IMT pas plagosjes në krye të detyrës për infrastrukturën nga një person me precedent penal, tashmë në pranga!
I kërkoj organeve të drejtësisë rreptësi maksimale për kriminelin që ngre dorë për shkak të detyrës ndaj punonjësve të shtetit!
Prej 7 vitesh Bashkia e Tiranës nuk është tërhequr nga ASNJË projekt publik – as nga presidentët e lojtur, as nga rrugaçët më famëkeq të vendit! Ta harrojnë se e ndalin dot zhvillimin e qytetit si kriminelët ordinerë ashtu dhe ordinerët e politikës që frymëzojnë dhunën!
Jam më i bindur se kurrë se shumica morale dhe e ndershme e qytetit – që as zapton e as dhunon – e do progresin dhe refuzon t’i nënshtrohet dhunës së rrugës e asaj politike! Ndaj dhe jam më i vendosur se kurrë t’i çoj gjer në fund punët për një Tirane që nuk ndalet!