Në Asamblenë Kombëtare të 9 marsit dhe Kongresin e 19 marsit, pritet të miratohet statuti i ri i Partisë Socialiste, i cili ka pësuar disa ndryshime të rëndësishme.
Pika më e debatuar është ajo e zgjedhjes së kryetarit kur partia është në pushtet. Sipas projektit, zgjedhjet për kryetar në këtë rast, zhvillohen vetëm nëse kjo kërkohet nga 10% e delegatëve të Kongresit. Në nenin 42, pika 6, shkruhet: “Kur partia është në qeveri dhe kryetari i saj zgjidhet Kryeministër, zgjedhjet për kryetarin e partisë do të zhvillohen vetëm nëse kërkon nga të paktën 10% e delegatëve dhe kërkesa merr mbështetjen e shumicës së delegatëve të Kongresit në votimin që zhvillohet në kongresin vjetor të partisë.”
Sa i përket ndërprerjes së mandatit të kryetarit, kjo ndodh vetëm kur: Jep dorëheqjen; partia humbet zgjedhjet e përgjithshme; humbet në mocionin e mosbesimit të zhvilluar për të me kërkesën e 1/3-s së anëtarëve të partisë; dënohet me vendim gjykate të formës së prerë me heqje lirie.
Ndërkohë, Asambleja e partisë parashikohet të ketë ndryshime. Nga 145 anëtarë që ka aktualisht, numri pritet të rritet në 220 veta, ku 5 deri në 10% të anëtarëve do të jenë përfaqësues të sindikatave.
Projektstatuti përfshin një kod etike, i cili rregullon marrëdhëniet e komunikimit brenda partisë dhe përcakton një formulë, të cilën duhet ta përmbushë çdo kandidat përpara paraqitjes së kandidaturës së tij.