Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe ka kërkuar në gjykatë caktimin e masës së sigurisë ndaj tij. Togat e zeza kanë pranuar dhe mësohet se ndaj Beqaj është vendosur “Detyrim paraqitje”.
Pavarësisht se kjo masë sigurimi konsiderohet e lehtë, ish-ministri është zyrtarisht i pandehur për dosjen e koncesionit të sterilizimit.
Po ashtu, Prokuroria e Posaçme ka vendosur dhe një masë tjetër sigurie për ish-numrin dy të Shëndetësisë shqiptare, duke i bllokuar pasaportën. Për rrjedhojë, Ilir Beqaj nuk mund të dalë nga Shqipëria, shkruan newsbomb.al.
Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj rezulton se është lënë jashtë hetimeve për koncesionin e sterilizimit, nga Prokuroria e Posaçme, ndaj kur aktet e dosjes kanë mbërritur në gjykatë është kërkuar nisja e një hetimi pasuror dhe thellimi i hetimeve për disa vepra të tjera penale.
Në muajin shtator, Gjykata e Posaçme ka urdhëruar SPAK që të kryejë hetime të thelluara pasi ka indicje për disa vepra penale, në ngarkim të ish-ministrit.
“Gjykata çmon se, ka indicje të mjaftueshme që Prokuroria e Posaçme të kryejë veprime hetimet edhe për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsion pasivi funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, thuhet në dokumentin e GJKKO.
Togat e zeza bëjnë me dije se në fashikullin hetimor këto episode nuk janë të evidentuara, ndaj kërkohet të kryhen hetime të thelluara për të provuar nëse biznesmeni Ilir Rrapaj dhe shtetasi tjetër italian kanë marrë përfitime të parregullta që rrjedhin nga korrupsioni, nga ministri Ilir Beqaj.