Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 42-vjeçarin Klered Bozhanaj, i cili mbrëmjen e së mërkurës plagosi me armë zjarri efektivin e “Shqiponjave” Edlir Alleshi.
Burime për mediat bëjnë me dije se Bozhanaj gjatë seancës gjyqësore ka shfaqur probleme të shëndetit mendor, ndërkohë gjatë deklaratës së dhënë para trupës gjykuese ka thënë se është amerikan dhe jo shtetas shqiptar.
Gjatë seancës avokati i tij, Roland Llalla, ka kërkuar ekspertimin e gjendjes mendore dhe shtrimin në spital të klientit të tij, mirëpo Gjykata hodhi poshtë këtë kërkesë të avokatit dhe vendosi që të linte në qeli 42-vjeçarin.
Kujtojmë që Bozhanaj mbrëmjen e së mërkurës hapi zjarr mbi efektivët e forcave “Shqiponja”. Si pasojë e të shtënave mbeti i plagosur inspektori Edlir Alleshi, i cili menjëherë u dërgua drejt spitalit të Traumës ku dhe iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale sepse kishte dy plumba në bark.
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” pasi morën informacion për një person që qarkullonte me armë zjarri, u vunë në ndjekje të të dyshuarit. Bozhanaj hapi zjarr dhe si pasojë mbeti i plagosur Alleshi. Autori më pas u largua nga vendi i ngjarjes dhe autoritetet ofruan 20 mijë euro shpërblim për çdo informacion që çonte në kapjen e autorit. 42-vjeçari u arrestua mbrëmjen e djeshme, ndërsa iu sekuestrua edhe arma e krimit.