Misioni Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, thotë se ka shtuar patrullimet e pjesëtarëve të saj në veriun e Kosovës. Edhe pse situata në përgjithësi është e qetë, Komanda e EULEX ka konfirmuar për mediat vendase shtrimin e forcave.
Kjo për të siguruar rend dhe qetësi publike, pas dorëheqjës së rreth 200 pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të komunitetit serb.
Në përgjigje me shkrim nga EULEX-i, saktësohet se këto patrullime janë duke i kryer Njësia Policore e Specializuar e EULEX-it dhe Njësia Policore e Specializuar rezervë.
“Po, që nga data 16 nëntori, krahas shtimit të konsiderueshëm të patrullimeve vëzhguese mobile, zyrtarë nga Njësia Policore e Specializuar e EULEX-it dhe Njësia Policore e Specializuar Rezervë, janë duke kryer edhe patrullime në këmbë, në të gjitha komunat veriore, pra në Mitrovicë veri, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok”, thuhet në reagim.
“Njësia Policore e Specializuar e EULEX-it përbëhet prej 105 zyrtarëve policorë polakë”, saktëson misioni europian.
“Më 8 nëntor, një Njësi e Policisë së Specializuar Rezervë, e përbërë prej 23 xhandarëve nga karabinierët italianë dhe pjesëtarë të Forcës së Xhandarmerisë Evropiane, zbarkoi përkohësisht në Kosovë, për përforcimin e kapaciteteve të Njësisë aktuale të Policisë së Specializuar të EULEX-it”, vijon reagimi.
“Gjatë ditëve në vijim, ne presim edhe disa përforcime shtesë të kufizuara”. Më tej saktësohet se pjesëtarët e Njësisë Policore të Specializuar dhe të Njësisë Policore të Specializuar Rezervë, punojnë me turne dhe janë duke kryer patrullime vëzhgimi gjatë 24 orëve në shtatë ditët e javës.
Aktualisht, situata e sigurisë në rajonin e Mitrovicës së Veriut është e qetë dhe përveç dy incidenteve të izoluara që ndodhën sot (e enjte), nuk është raportuar për cënim të rendit publik.