Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla thotë se kandidatura e Simon Mirakës për president do të rrëzohet për shkak se Sali Berisha është mes firmëtarëve për propozimin e tij.
Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, Balla tha se PS nuk do të negociojë me asnjë deputet anti-amerikan dhe të shpallur “non-grata”.
Balla ka përsëritur edhe njëherë thirrjen e tij drejtuar opozitës për t’u bërë pjesë e procesit, por në të njëjtën kohë tha se maxhoranca nuk ka ndërmend ta lerë vendin pa president.
Dita e shtunë u caktua si raundi i katërt i votimit të kandidaturës së presidentit në parlament.
Deklarata e Taulant Ballës:
Sali Berisha nuk merret në konsideratë sa herë të shfaqet emri i tij në listë propozimesh, me shumë keqardhje kam konstatuar dje rastin e zotit Simon Miraka. Që mesa duket do të rrëzohet në seancë pasi ai nuk e heq firmën e vetë. Përsa i përket përjashtimeve do të diskutojmë me grupet parlamentare, nuk diskutojmë me deputetë të pavarur apo të përjashtuar. Një person i shpallur non-grata nuk mund të ketë as firmë as votë në procesin e presidentit të republikës, se nuk mund ta bëjmë pis. Negociatat janë politike, dhe në aspektin politik unë dua të negocioj vetëm me pro-amerikanë, kush ka zgjedhur rrugë tjetër të shkojë, ata që janë kundër SHBA, ne nuk negociojmë. Kemi pritur listë emrash, kandidatë, e patët mundësinë në dy raunde. Mund ta kishim zgjedhur që në raund të tretë.
Ne vendin pa president nuk do ta lemë, do ta zgjedhim presidentin. Jemi të gatshëm të presim nëse do të përfshiheni në proces, unë mendova se keni vënë mend nga bojkoti, por po vazhduat me këtë histori, malet më të larta. Presim në vijim deri të shtunë nëse doni të përfshiheni në këtë proces…