Me dhimbje në sy, Roberti i ishte përgjigjur: -“Mos u shqetëso. Do të kthehem!”…
Por ai e dinte se Auchvitz do të thoshte “shfarosje”.
Një ditë para se t’i merrnin, Roberti i kishte shkruar Jukit një letër: «E shtrenjta ime. Puthjet e para përpara nisjes. Nisem me besim te ty. Ki besim tek unë dhe ylli im!…”
Ditën e ikjes, Juki shkoi përsëri në Compiegne, ku kishin shkuar dhe gratë të tjera për të parë për herë të fundit burrat e tyre. Nga larg, ato ndiqnin largimin e tyre më këmbë nga kampi drejt stacionit të trenit. “Ata ecnin ngadalë, – kujtonte Juki. – por me dinjitet. Ishte diçka mbresëlënëse. Por sapo ushtarët na panë, ata filluan t’u bërtisnin: «Më shpejt! Më shpejt!»… Dhe ata filluan të rendin. Roberti ishte nga fundi. Me vështrimin e tij miop, ai më kërkonte,ndërsa unë fillova t’i thërras: «Robert!» … Ai më buzëqeshi dhe më bëri shenjë me dorë, duke vrapuar. Që larg ai shtoi: «Do të kthehem shpejt! Të fala miqve!…»
Më së fundi karvani i të internuarve u kishte hipur vagonave dhe ata ishin nisur. Nisje drejt ferrit. Asnjëri nga ata nuk e kuptonte pse po i çonin me trenat që shkonin drejt Gjermanisë. Asnjëri nga ata nuk ishte hebre…
“Ne u nisëm me të njëjtin tren drejt Aushvitzit më 27 prill të vitit 1944, – ka shkruar Verdet në kujtimet e tij. Më pas, duke kujtuar ditët e para të kampit,ai ka shtuar: “Në fushën e madhe të kampit, bie shi dhe fryn shumë erë. SS-ët që na kalojnë pranë na thonë: “Ju të gjithë do të vdisni!”…Por ja, Desnos duket tek shkon sa te një grup te tjetri, i merr ata për krahu dhe u lexon në shënjat e pëllëmbëve të duarve të ardhmen e tyre, duke u dhënë shpresë e besim. Për një çast, fytyra e tyre ndriçohej nga drita e shpresës…”
Robert Desnos bashkë me qindra e mijra të internuar të tjerë do të çoheshin më vonë në kampin e Buchenëald dhe pas një qëndrimi atje prej dhjetë ditësh, trenat i çuan tashmë drejt Flossenberg e më pas në qytezën e Floha-s. Desnos kishte numrin 185443 dhe ky tatuazh ishte shtuar krahas një tatuazhi tjetër që miku i tij Fujita, i kishte bërë një ditë në atelierin e tij po në krah. Ishte një konstelacion yjesh dhe arusha e madhe,një botë larg kësaj bote që ai po jetonte tashmë. Tregojnë se në Buchenëald-it,ai u recitonte të internuarve pjesë nga Rasini, Hygoi, Nervali.
Në 14-15 korrik, përmes një mikut të tij,Desnos arriti të shkruajë një letër në gjermanisht dhe t’ia nisë Jukit. Atëherë ishte e detyruar që letrat të ishin në gjermanisht. “A do të arrijë vallë kjo letër për ditëlindjen tënde? – pyeste ai.- Do të doja të ofroja 100 mijë cigare, një dyzinë fustanesh të kuturierëve më të mëdhenj, apartamentin që ndodhet nëRue de la Seine,një makinë, shtëpinë e vogël në pyllin e Compiegne-s, atë në ishullin eBelle-Ile dhe një buqetë lulesh prej dyzetë centimësh. Në mungesën time, bli gjithmonë lule. Unë do të paguaj për to. Por para së gjithash pi një shishe verë të mirë dhe mendo për mua. Shpresoj që miqtë tanë nuk do të lënë vetëm…”
Letra e fundit dërguar Jukit është ajo e datës 7 janar e vitit 1945. Pranvera e lirisë nuk po vononte. Franca ishte çliruar me kohë. Në letrën e tij, që e fillonte me fjalët «Ma grande chérie», («E shtrenjta ime e madhe»), ai i dërgonte dhe dëshminë e testamentit të tij,ku e caktonte si trashëgimtare të gjithë çka kishte si dhe të veprës së shkruar të tij. Juki ishte dashuria më e madhe e tij.
Më 14 prill të vitit 1945, meqë ushtritë Aleate po i afroheshin Gjermanisë, të burgosurit filluan t’i evakuojnë nga kampi i Floha-s. Ky udhëtim do të quhej më pas “Rruga e vdekjes”, pasi ishte një kalvar i vërtetë përmes të ftohtit dhe baltës, ku shumica e të internuarve vdiqën gjatë rrugës. Të burgosurit shkonin drejt qytetit të vogël çek të Terezinës. Radio njoftonte se Hitleri nuk ishte më. Që prej dy muajsh, Roberti vuante nga dizanteria. Në vargun e gjatë që shkurtohej gjithnjë e më shumë, vetëm 300 vetë refuzonin të vdisnin. Ndër ata edhe Desnos. Terezina,(apo Theresienstadt, siç e quanin gjermanët) me kështjellën e vjetër të saj mbahej ende nga nazistët. Të nesërmen e mbërritjes së tyre në kamp, Gjermania naziste kapitulloi, por të internuarit ishin në grahmën e fundit të jetës së tyre. Nuk kishin fuqi as të gëzonin, as të këndonin, as të përqafonin njëri tjetrin. Vallë a kishte mbaruar më së fundi ky kalvar? – pyesnin sytë e shuar të këtyre njerëzve-kufoma? Një fotograf që ishte ndodhur aty në ditët e para të lirisë së kampit, e ka fotografuar Robertin në një grup të internuarish me rrobat e tyre të kampit.
Më 9 maj, në Terezinë, mbërrijnë ushtarët sovjetikë. Në Paris, Jukit i kanë thënë se Roberti po kthehej nga Rusia. Të tjerë i thonë tjetër gjë. Megjithatë ajo shpreson. Ajo e di se ai është ende gjallë. Më së fundi, më 28 qershor, Juki njoftohet me siguri se Roberti është në Terezinë. Ky ishte lajmi i fundit që ajo kishte për të, por tashmë ishtete për vonë…
Në Terezinë, tre mijë ish të internuar rrezikonin të vdisnin nga epidemia e tifos. Dy studentet çeke, Stuna dhe Alenaka në ardhur në Terezinë të ndihmojnë në barakat e spitalit dhe pikërisht atjeata ranë në gjurmët e poetit Robert Desnos. Por Desnos nuk ishte dot në gjëndjetë ngrihej dhe të hante. Organizmi i tij ishte në momentet e fundit. Ai kishte tmerrsisht etje por si ta ndihmonin, kur uji ishte i infektuar ngado. “Ai nuk dyshonte se do të kthehej në Francë,- kujtonte Alena Tesarova, e cila kaloi ato ditë bashkë me të. – Në fillim, mendonte të merrte fuqi dhe pastaj, kur të piqej brënda tij gjithçka që kishte parë e jetuar, të shkruante një vepër të re. Por së pari duhet jetuar, – thoshte ai. – Ai na premtoi se do të ishte një tjetër Desnos kur të shkonim ta takonim ndonjë ditë. Shpesh ato ditë, për ta zbavitur,unë i tregoja historira. Një ditë i çova një trëndafil të vogël, dëshmia evetme e bukurisë që kisha gjetur përtej atyre telave me gjëmba. Dizanteria e kishte dërmuar trupin e tij dhe triumfoi mbi të. Ai trëndafil u dogj bashkë me trupin e tij…”
Më 6 qershor, Roberti ra në agoni. Dy ditë trupi i tij luftoi kundër vdekjes, por më së fundi ai u mposht në krahët e tyre. Ai vdiq në 8 qershor në orën pesë e gjysmë të mëngesit, në një agim “ngjyrë gri”, siç shkruan në kujtimet e tij një nga studentet. Në xhep iu gjet një letër ku ai kishte shkruar ca vargje poezie. Përsëri një poezi për Jukin.
Ato u interesuan që Desnos të digjej vetëm, jo bashkë me një të vdekur tjetër, siç ndodhte atë kohë. Ishte një i burgosur gjerman që e dogji atë. “Betohem se jam unë ai që kisha nderin që digjja trupin e poetit të madh Robert Desnos”, – i kishte thënë ai një gazetari që kishte shkuar ato ditë në Terezinë. Ai trup ishte djegur në furrat e tmerrshme bashkë me dy tatuazhet e tij: numri i të internuarit dhe ai konstalacion yjesh i Arushës së madhe, ku shpesh prehej imagjinata e tij.“Big-Bangu” kishte ndodhur atëherë kur jeta vinte me dritën e saj gjigande dhe verbuese. Në vitin 1925, Roberti kishte shkruar një profeci. Ai mendonte se do të vdiste rreth vitit 1940. “Nuk besoj se do të vdes nga ndonjë vdekje natyrale”, kishte shkruar ai. Në Paris lajmi u dha nga agjencia AFP.
Më 15 tetor të po atij viti, hirii trupit të tij zbarkoi në aeroportin e Bourget. Për ta pritur kishin dalë Juki, Elyar, Aragon, Barro, Leiris, Klod Roy… Në fjalimin e tij Elyar do të thoshte:«Gjer në vdekje, Desnos luftoi për lirinë. Poezia e tij ishte poezia e kurajos… Ai shkon drejt dashurisë, drejt jetës dhe drejt vdekjes pa dyshuar kurrë. Ai flet, këndon me zë të lartë dhe pa u shqetësuar. Ai është gjeni i një populli…”
Duke shkruar këto rradhë për Desnos-in,vështroj përpara meje fotografinë e fundit të tij, atë ku i rrethuar nga një turmë të internuarish, nën një diell të zbehtë, ata presin shkrepjen e aparatit të një fotoreporteri që çuditërisht është gjëndur aty. Disa prej tyre vështrojnë nga objektivi me sy që u shkrepëtijnë dhe dëshirën për të parë botën përtej telave, të tjerë janë të humbur, s’dihet ku. Një tjetër që s’ka mundur dot,është shtrirë në shpinë, me sytë nga qielli. Ndërsa Roberti në mes, duket se mezi qëndron. Ai është pështetur në njërin bryl, me një fytyrë që shpreh dhimbje, me kokën e qethur dhe vështrimin e humbur. Vallë mendon Jukin,atë moment kur ajo do të vraponte drejt tij?…