Këtë të enjtë ishte parashikuar që të mbahej seanca gjyqësore për ish-deputetin socialist, Alqi Bllako, i cili ndodhet në burg për aferën e inceneratorit të Fierit, por seanca është shtyrë për një ditë tjetër.
Mësohet se shkak për shtyrjen e seancës është bërë pasi Prokurori parashtroi të gjitha veprimet hetimore të kryera deri më tani, mbrojtja kërkoi një kopje të tyre për t’u njohur me përmbajtjen. Theksojmë se Bllako ka kërkuar disa herë ndryshimin e masës, pasi pretendon se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për një masë sigurie ekstreme si ajo e “arrestit me burg”.
Kujtojmë se më 2 prill, Gjykata e Posaçme dha masën e sigurisë “Arrest në burg” për Bllakon, ndërsa avokati i tij tha se ai nuk kishte lidhje me akuzat. Megjithatë, sipas togave të zeza ish-deputeti nuk mund të lirohet pasi rrezikon të prishë provat, duke qenë se hetimet për inceneratorët vazhdojnë.
Referuar njoftimit zyrtar të SPAK, ish-deputeti Alqi Bllako është i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, të parashikuara nga nenet 248, 25 dhe 260 të Kodit Penal.
Alqi Bllako në kohën që mbante postin e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, në bashkëpunim me ish-ministrin Lefter Koka dhe ish-kryetarin e Komisionit të Shpronësimit Pëllumb Abeshi, kanë falsifikuar dokumentin në lidhje me sipërfaqen e tokës ku u ndërtua inceneratori duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej 16 milionë lekësh, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.