Ministri i Jashtëm, Igli Hasani ka reaguar për sulmin ndaj policisë në Kosovë që shkaktoi një viktimë dhe dy të lënduar.
Hasani i shpreh ngushëllime familjes së policit, teksa shkruan se Shqipëria është në krah të Kosovës në këto momente të vështira që kërkojnë gjakftohtësi, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët e partnerët.
“Dënojmë me ashpërsi sulmin me armë ndaj Policisë dhe shtetit të Kosovës. Ngushëllimet tona për familjen e oficerit të Policisë që humbi jetën në krye të detyrës dhe shërim të shpejtë efektivit të plagosur.
Akti i sotëm kriminal është kërcënim për sigurinë e stabilitetin e rajonit tonë dhe autorët duhet të përballen sa më parë me drejtësinë. Shqipëria është në krah të Kosovës në këto momente të vështira që kërkojnë gjakftohtësi, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët e partnerët”, shkruan Hasani.