Lavdosh Metaj, ish-efektiv i Forcave Shqiponja, është dënuar me 5.4 vite burg nga Gjykata e Sarandës, pasi në qershor 2021 u kap duke shpërndarë kokainë. 39 vjeçari, sipas togave të zeza dhe vetë hetimit të SHÇBA, shpërndante drogë në lokalet e natës në Sarandë.
Pak ditë më parë, gjyqtarja Suela Xhani ka dhënë vendimin për dënimin e Lavdosh Metaj me 8 vite burg, por për shkak të uljes së 1/3 së dënimit, ish-efektivi i Shqiponjave do të qëndrojë në qeli 5.4 vite.
Një vit më parë, 39 vjeçari u arrestua në kushtet e flagrancës nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesa, sot njihet si Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
“Arrestimi u krye pas një hetimi disa mujor në aplikim të metodave të posaçme hetimore nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, ku u grumbulluan fakte që krijuan dyshimin e arsyeshëm të bazuar në prova se punonjësi i policisë L.M. kryente në mënyrë sistematike shpërndarje të narkotikëve në ambjente të populluara argëtimi me muzikë në Sarandë”, njoftoi SHÇBA.
“Në ekzekutim të vendimit të Gjykatës, gjatë kontrollit personal të kryer në kushtet e kapjes në flagrancë, punonjësit të Policisë L. M. iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale lënda e dyshuar narkotike e llojit kokainë në sasinë 5 gramë, e ndarë në 11 doza.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së punonjësit të policisë u gjet dhe u sekuestrua edhe një sasi prej 165 grame lëndë e dyshuar si narkotike e llojit kokainë dhe një peshore që përdorej për peshimin e saj në procesin e ndarjes në doza. Këtë veprimtari të kundraligjshme, i arrestuari e kryente gjatë kohës së shërbimit dhe jashtë saj”, vijonte njoftimi i dhënë në qershor 2021.