Presidentja Vjosa Osmani ka nënshkruar sot dekretin me të cilin shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare, i jepet nënshtetësia e Republikës së Kosovës.
Sipas saj, dhënia e nënshtetësisë ikonës së letërsisë shqipe, Kadaresë është nderim për shtetin e Kosovës, për krijuesin i cili vazhdimisht është pikë e rëndësishme referimi për shqiptarët kudo në botë.
“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj ndihen të nderuar nga personaliteti i shquar i kombit, shkrimtari ynë i përmasave botërore, Ismail Kadare, i cili me krijimtarinë e tij ka afirmuar gjuhën, kulturën dhe traditën tonë”, ka thënë presidentja.
Dekreti i nënshtetësisë do t`i dorëzohet shkrimtarit nga vetë presidentja Osmani gjatë vizitës, e cila pritet të realizohet së fundmi në Shqipëri.
Kujtojmë se në qershor të këtij viti, Osmani e ka dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me urdhrin “Hasan Prishtina”, më i larti të cilin e jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquara të kulturës, artit, dhe shoqërisë.