Shqiptarët në Luginën e Preshevës janë pro autonomisë politiko-territoriale mes Kosovës dhe Serbisë.
Shaip Kamberi tha se bashkimi i territoreve të dy vendeve nuk është një ide që ka lindur aty për aty, por ajo është kërkuar nga shqiptarët ditë e natë.
“Shkëmbimi i territoreve nuk ishte një ide që ka lindur aty për aty. Lugina e Preshevës kërkesën e vet për bashkimin me Kosovën e ka natë e ditë, në një referendum popullor i cili është organizuar atëherë në kuadër të referendumeve të ndryshme që organizoheshin në ish Jugosllavi për tu deklaruar popull në zona të veçanta popullatat se si dëshirojnë të jetojnë. Në kuadër të atyre zhvillimeve, shqiptarët e Luginës së Preshevës janë deklaruar për një autonomi politiko-territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën. Kërkohej autonomia për shkak se Serbia si një shtet centraist nuk lejonte të respektohen veçoritë e ndryshme që ekzistojnë në rajone të ndryshme të territorit të saj”, deklaroi Kamberi në “Vizion Plus”.
Megjithatë ai shpjegoi pse shkëmbimi i territoreve sipas planit serb, do të ishte një tragjedi për shqiptarët.
“Plani i Serbisë për shkëmbim është ajo që edhe sot e thotë ministri i jashtëm, merreni ju Preshevën e ne na takon Veriu i Kosovës. Por kjo nënkupton se disa katunde të Preshevës, jo qytetin, jo Bujanovcin dhe një pjesë e madhe e shqiptarëve do të mbeten nën mëshirën e askujt që do të thotë të nxite një tragjedi e re njerëzore, të shkëmbimit të njerzve dhe jo të territoreve”, tha Kamberi.