Tërhoqi mjaft interes plani i Ministrisë së Financave për organizimin e lotarisë tatimore, si një formë për të nxitur marrjen e kuponit nga blerësit, në kuadër të luftës ndaj informalitetit. Një praktikë kjo që është ndjekur dhe nga vende të tjera të rajonit.
Individët nxituan të mblidhnin kuponat dhe t’i dërgonin ato me postë, sipas procedurës së përcaktuar nga Ministria e Financave http://ëëë.llotariashqiptare.al/dergimi.html. Deri në 11 janar, ditën e fundit kur pranoheshin zarfat, radha ishte e gjatë në zyrat postare me individët që shpresonin deri në momentin e fundit që do të fitonin.
Por, hedhja e lotarisë, e planifikuar për datën 15 janar nuk kaloi e qetë. Media raportoi që ndryshe nga sa ishte deklaruar, hedhja e lotarisë nuk ishte direkte, por e regjistruar. Nga Ministria e Financave nuk ka ende koment zyrtar për këtë.
Edhe nëse sheh listën e fituesve, çuditë janë të shumta. Ka fitues me dy kupona, kur numri minimal i kuponave që duhet të kishe për t’u bërë pjesë e lotarisë ishin 50. Një tjetër ka fituar me 35 kupona.
Por, në përpjekje për të luftuar evazionin, Ministria e Financave është kthyer dashur pa dashur në një nxitës të saj. Fituesi i parë i kategorisë së tretë kishte dorëzuar 54 fatura me vlerë 22.2 milionë lekë, që me një llogari të thjeshtë rezulton se vlera mesatare e një fature është rreth 411 mijë lekë, kur kufiri maksimal i transaksioneve cash është 150 mijë lekë (mbi këtë shumë pagesa është e detyrueshme të bëhet me bankë). Sipas logjikës aritmetike, në zarfin me 54 fatura rezulton të ketë pasur të paktën një ose disa fatura që tejkalojnë limitin ligjor.
Edhe fituesi i dytë i të njëjtës kategori, kishte 106 fatura për 15.4 milionë lekë, me një vlerë mesatare faturash prej 146 mijë lekësh, shumë afër limitit maksimal të lejuar të transaksioneve cash.
Pritet transparence nga Ministria e Financave, si për organizimin e lotarisë, ashtu dhe të dhënat për numrat e kuponave dhe shumën e transaksioneve të fituesve. (Monitor)