Gjykata e Tiranës ka vendosur masën “arrest me burg” për 6 farmacistët. Të arrestuarit dy ditë më parë, shisnin ilaçe kontrabandë gjatë periudhës së pandemisë së Covid në Shqipëri.
Pas një hetimi 10 mujor të Policisë dhe Prokurorisë së Tiranës, u bë i mundur arrestimi i shtetasve:
- Blerim Bitri, 40 vjeç, administrator i një farmacie;
- Florian Marku, 39 vjeç, administrator i një farmacie;
- Margarita Xhaxhiu, 64 vjeçe, e dyshuar si dërguesja e mallrave kontrabandë;
- Jani Papuli, 66 vjeç, i punësuar nga shtetasja M. Xh;
- Florian Lila, 40 vjeç, administrator i një farmacie;
- Bashkim Osmani, 56 vjeç, administrator i një depoje farmaceutike.
Kush janë të arrestuarit?
Bashkim Osmani, 56 vjeç, është administratori i “ELBA SHPK”, një kompani me 43 punonjës dhe që gjeneron më shumë se 5 milion dollarë në vit. Osmani e përdorte depon farmaceutike që ka në pronësi për tregtimin e medikamenteve kontrabandë gjatë peridhës së pandemisë. Gjithashtu ortake në kompaninë “ELBA SHPK” është edhe Elda Tomçini, por kjo e fundit nuk ishte pjesë e të arrestuarve.
Florian Marku është një tjetër person i arrestuar nga policia, i cili ka në zotërim 3 farmaci: “Flori”; “Flori 2”; “Flori 3”, të treja në kryeqytet.
Blerim Bitri, i arrestuar ditën e sotme, është pronar i “Farmaci Bitri” në rrugën nacionale Kamëz – Tiranë, i cili përfitonte nga situata e pandemisë dhe shiste medikamente kontrabandë.
Florian Lili është një tjetër person i arrestuar ditën e sotme për shitje të medikamenteve kontrabandë. Ai mban edhe postin e kryetarit të PD-së në Njësinë 11 në Tiranë, teksa u përfshi në fushatë në zgjedhjet e 25 prillit duke mbështetur deputeten Albana Vokshi.
