Ish-zyrtarja në bashkinë e Tiranës, Shpresa Leka ka reaguar për prishjen e ndërtesës katër katëshe para stadiumit ‘Arena Kombëtare’, mëngjesin e sotëm.
Në një postim në Facebook, urbanistja kujton se në kohën kur u ndërtua ajo godinë ka qenë anëtare e Këshillit të Rregullimit të Territorit dhe e ka kundërshtuar kryeministrin Edi Rama, asokohe kryebashkiak i Tiranës.
Leka thotë se votoi kundër ndërtimit të këtij objekti, por pavarësisht kësaj vendimi u miratua, ndërsa ditën e sotme u shemb me argumentin se ndodhej në zonë publike.
Urbanistja deklaron se sot është krenare për punën e saj, teksa thotë se nëse do të dëgjohej asokohe nuk do të ishin ‘hedhur në erë’ gjithë ato para.
Me shembjen e saj tashmë do të lirohet hapësira para stadiumit të ri, ku është planifikuar të shërbejë për parkim. Shembja është bërë me anë të fadromave dhe jo me shpërthim të telekomanduar.