Shtetet e Bashkuara njoftuan se mbështesin krijimin e një gjykate speciale për të ndjekur penalisht krimin e agresionit – një zhvillim i rëndësishëm në përpjekjen për të mbajtur përgjegjës zyrtarët e lartë të Kremlinit për luftën në Ukrainë.
“Në këtë moment kritik të historisë, kam kënaqësinë të njoftoj se Shtetet e Bashkuara mbështesin zhvillimin e një tribunali të ndërkombëtarizuar dedikuar ndjekjes penale të krimit të agresionit kundër Ukrainës”, tha të hënën ambasadorja e SHBA-së për Drejtësinë Penale Globale, Beth Van Schaack.
Njoftimi i mbështetjes së SHBA-së për zhvillimin e një organi të tillë “në formën e një gjykate të ndërkombëtarizuar që i ka rrënjët në sistemin gjyqësor të Ukrainës, me elementë ndërkombëtarë”, sipas fjalëve të një zëdhënësi të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, vjen pasi Ukraina dhe vendet e tjera kanë shtyrë për muaj të tërë krijimin e mekanizmit.
Edhe pse ka një sërë organesh të ndryshme si Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) që mund të ndjekin penalisht krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, ato nuk kanë aftësinë për të ndjekur penalisht krimin e agresionit.
Si i tillë, Ambasadori i Përgjithshëm i Ukrainës Anton Korynevich në dhjetor argumentoi se këta mekanizma ekzistues nuk bëjnë mjaftueshëm për të siguruar që vendimmarrësit në Moskë të përballen me ndëshkimin për luftën e tyre kundër Ukrainës.