Shtetet e Bashkuara akuzuan Rusinë të mërkurën se ka nisur një “luftë të plotë kundër lirisë së medias dhe të vërtetës” duke bllokuar mediat e pavarura dhe duke penguar rusët të dëgjojnë lajmet për pushtimin e Ukrainës.
“Qeveria ruse po pengon gjithashtu platformat Twitter, Facebook dhe Instagram në të cilat mbështeten dhjetëra milionë qytetarë të Rusisë për të pasur akses në informacione dhe opinione të pavarura”, tha Departamenti i Shtetit në një deklaratë. “Populli i Rusisë nuk e zgjodhi këtë luftë, por Putini e zgjodhi.”
Sipas DASH, qytetarët rusë kanë të drejtë të informohen dhe të shikojnë se çfarë vuajtjesh po u shkakton qeveria e tyre ukrainasve. Zyrtarët amerikanë e konsiderojnë këtë luftë “të pakuptimtë” dhe kërkojnë që presidenti Putin të ndalojë menjëherë gjakderdhjen.
“Ata kanë të drejtë të dinë për vdekjen, vuajtjen dhe shkatërrimin që po i shkakton qeveria e tyre popullit të Ukrainës. Populli i Rusisë gjithashtu ka të drejtë të dijë për kostot njerëzore të kësaj lufte të pakuptimtë për ushtarët e tyre.
Ne i bëjmë thirrje Putinit dhe qeverisë së tij të respektojnë detyrimet dhe angazhimet ndërkombëtare të Rusisë, të ndalojnë menjëherë këtë gjakderdhje, të tërheqin trupat e saj nga territori i Ukrainës dhe të respektojnë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të qytetarëve të tyre”, vijon deklarata.