Prokuroria e Sarandës ka dhënë informacion për tjetërsimin e një sipërfaqe toke prej 10 mijë metra katrorë buzë detit.
Në njoftim bëhet me dije se Prokuroria e qyetit bregdetar ka vendosur masën e sekuestrimit për sipërfaqen e tokës, e cila u tjetërsua nga zyrtarë dhe biznesmenë, përmes dokumenteve të falsifikuara.
Lidhur me këtë janë shpallur në kërkim 10 persona, të dyshuar për veprat penale “shpërdorim i detyrës”.
Ndërkohë ditën e sotme janë shpallur në kërkim dy vëllezërit biznesmenë, Behar dhe Bedri Mucobega, si dhe ish-drejtori i ASHK Sarandë, Ardian Kola, i cili ka firmosur certifikatat e pronësisë për trojet e përfituara me dokumente false.
PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË SARANDË:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, në kuader të procedimit penal Nr. 605 të vitit 2020, pas zbatimit të urdhërave të ndalimit, ka kërkuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqesor Sarandë caktimin e masës së sekuestros preventive në lidhje me pasuritë objekt hetimi, të cilat dyshohet se jane regjistruar në Agjensinë Shtetërore të Kadastrës Sarandë mbi bazën e dokumentave të falsifikuara.
Gjykata e Rrethit Gjyqesor Sarandë me vendimin Nr.50 dt. 02.06.2022, ka vendosur caktimin e masës së sekuestros preventive për një siperfaqe toke prej 10 230 m2, ndodhur në Turizëm-Kanal i Çukës Sarandë, në afërsi të vijës bregdetare.
Në vazhdim, organi i akuzës po vijon punën për vleftësimin në gjykatë të urdhërave të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurisë për 10 persona të dyshuar për veprat penale “shpërdorim i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ‘pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, ‘falsifikimi i dokumenteve’ parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal.
Në këtë veprimtari dyshohet se janë të përfshirë nënpunës shtetërorë, biznesmenë dhe shtetas të tjerë.